Historia e klinikës së ORL-së dhe kirurgjisë së kokës dhe qafës në Kosovë

Klinika e ORL-së dhe kirurgjia e kokës dhe qafës e mori rolin e vetë shëndetsor, edukativo- arsimor dhe shkencor në vitin shkollor 1973 - 74, kur për së pari herë u kyq në realizimin e mësimit teorik dhe praktik nga lënda e Otorinolaringologjisë për studentët e vitit të pestë të gjeneratës së parë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Kuadri mjekësor ishte i përbërë nga 3 mjekë specialistë -ORL dhe një mjek në specializim, kurse në programin mësimor ishin të angazhuar Dr. Talat Pallaska si ligjërues dhe Dr. Besim Sllamniku si asistent, kurse Dr. Dragolub Nikollovski ishte si asistent në gjuhën serbokroate.

Klinika ishte e vendosur në një pjesë të repartit kirurgjik, në katin e sipërm të klinikës së sotme kirurgjike, kurse ushtrimet mbaheshin në koridor dhe në kushte shumë të vështira.

Entuziazmi dhe angazhimi maksimal i kuadrit mësimor dhe i vetë studentëve bëri që suksesi dhe rezultatet të jenë të nivelit të lartë, dhe sot shumica e atyre studentëve të gjeneratave të para janë profesorë dhe kuadër me nivel të lartë profesional në Fakultetin e Mjekësisë dhe në QKUK.

Brenda një periudhe relativisht të shkurtër kuadri mësimor i klinikës ORL, duke qendruar dhe duke marrë përvojat edhe në qendra tjera si p.sh. në Karolinska Institute në Stokholm, në Tybinngen të Gjermanisë, në St. Luis të SHBA - së e tjera, arrin të ngrisë në nivel shumë të lartë punën profesionale në klinikën e ORL-së.

P.sh. qysh në vitin 1974 Dr. Besim Sllamniku bëri laringectominë e parë totale te i sëmuri me karcinomë të laringut, kurse më 1976 i njejti autor bëri laringektominë e parë parciale funksionale, filloi aplikimi i mikrokirurgjisë së veshit: timpanoplastika dhe stapedectomia e tjera, kurse sot këto intervenime kirurgjikale janë të përditshme.

Gjatë vitit 1977, Dr. Talat Pallaska mbron disertacionin dhe zgjidhet profesor inordinar, kurse Dr. Besim Sllamniku pas mbrojtjes së doktoraturës, gjatë të njëjtit vit zgjedhet docent nga lënda e Otorinolaringologjisë.

Më vonë inkuadrohen si asistentë Dr. Refik Ramku, Dr. Hasan Jakupi, dhe Dr. Vahidin Haxhijaha. Pas transferimit të klinikës ORL në ndërtesën e re në muajin mars të vitit 1983, u formuan kushte shumë më të mira për punë.

Klinika ka startuar punën me 100 shtretër për pacienta të vendosur në 4 reparte: reparti i onkologjisë dhe laringologjisë, reparti i rinologjisë, reparti i otologjisë dhe reparti i ORL-së fëmijëve, pastaj bllokun operativ, ambulancen specialistike me zyrën e pranimit, shërbimi audiologjik me vestibulogji dhe shërbimin e defektologjisë.

Është bërë pranimi i kuadrit të ri dhe perspektiv i cili përpos angazhimit profësional në kryerjen e specializimit nga lëmia e ORL-së të cilin e kanë përfundar të shumtën në qendrat klinike në Zagreb, kanë mbërri të kryejnë studimet postdiplomike,të magjistrojnë € më vonë të mbrojnë edhe disertacionet e doktoraturës dhe të zgjidhen si kuadër arsimor pranë lendës së ORL-së. Sot ata janë me tituj profesorë sic janë Prof. Dr. Adem Liman dhe Prof. Dr. Qazim Hyseni.

Në këtë periudhë të punës profesionale dhe edukativo-arsimore, klinika e ORL-së ka pasur një renome të lartë si në nivel të ish-Jugosllavisë ashtu edhe në nivel të qendrave botërore. Për këtë më së miri flasin faktet se kudri i Klinikës sonë ka arritur të organizojë tubime profesionale nga lëmia e ORL-së duke filluar prej simpoziumeve dhe takimeve profesionale deri te kongreset e ORL-së në Prishtine, Brezovicë, Pejë, Prizren etj., si dhe të prezentojë të arriturat e klinikës në simpoziumet dhe kongreset e organizuara në qendrat tjera botërore.

Katedra e ORL-së ne Prishtinë në bashkëpunim me katedrën e ORL-së Shallata nga Zagrebi, katedra e ORL në Vinogradska “Sestre milosrdnice” në Zagreb dhe katedrën e ORL-së nga Rijeka ka botuar tekstin mesimor Otorinolaringologjia për studentë të Mjekësisë dhe të Stomatologjisë në gjuhën serbokroate, ku si koautor të librit me tekstet e tyre janë kyqur Prof.Dr. Talat Pallaska dhe Prof. Dr. Besim Sllamniku. Në vitin 1983 me angazhimin e tërë kuadrit të katedrës është perkthyer dhe botuar i njëjti tekst edhe në gjuhën shqipe, tekst ky që edhe soi shërben si teksi mesimor për studentët tanë.

Përveq tekstit të lartpermendur, studentët kanë në disponim edhe dy tekste të Otorinolaringologjise, tekstin e Prof. Dr. Talat Pallaskës dhe tekstin e Prof. Dr. Adem Limanit me bashkpuntorë në dy botime.

Gjatë kësaj periudhe kuadri ynë ka publikuar një numër të madh punimesh profesionale dhe shkencore në shumë revista të njohura vendore si është PRAXIS MEDICA, në botime të simpoziumeve dhe kongreseve të ndryshme, në revista te qendrave tjera të ish-Jugosllavisë si është SYMPOSIA OTOLARYNGOLOGICA e Zagrebit, dhe në revista te njohura botërore si janë AMERICAN JOURNAL OF OTOLARYNGOLOGY dhe në ARCHIVES OF OTOLARYNGOLOGY të cilat punime janë të indeksuara në Index Medicus dhe në internet në faqen elektronike të NATIONAL LIBRARY OF MEDICINE të njohur si www.pubmed.com kërkimi i të cilave mund të bëhet në inicialet e autorit Sllamniku B.

Përveq sukseve dhe të arriturave, me keqardhje duhet të flasim edhe për problemet dhe vështirësitë që kuadri arsimor i katedres së ORL-së sikurse edhe tërë kuadri mjekësor dhe arsimor në nivel të Fakultetit të Mjekësise dhe QKUK i ka pësuar gjate periudhës 1990 -1999.

Nga dhuna e egër e represionit policor të regjimit antishqiptar serb të Beogradit, shumica e kuadrit janë larguar nga puna dhe nga objektet e klinikave dhe instituteve tona, përveq një numri të vogël mjekësh shqiptarë të cilët nuk i kanë larguar nga puna.

Pasojat e kësaj dhune janë tepër të rënda dhe të dhembshme për tërë kuadrin tonë, për tërë popullatën e Kosovës, për shkak se gjatë kësaj periudhe, jo vetëm që kemi pësuar në aspektin profesional dhe edukativo-arsimor, por kemi pësuar në humbjen e jetëve të mjekëve të spikatur shqiptarë, kemi pësuar vrasjen e mbi 10.000 viktimave të pafajshme, të moshave dhe gjinive të ndryshme, të cilët fizikisht nuk janë mes nesh, por kujtimi i tyre do të jetë përherë në zemrat tona, sidomos të atyre që me armë në dorë i rezistuan armikut të egër dhe superior në numër dhe armatim.

Sot, katër vite pas çlirimit të Kosovës nga forcat kriminele serbe, Klinika e ORL-së, duke e ndarë fatin me tërë shëndetsinë kosovare, ka arritë të konsulidohet si në aspektin e kuadrit, ku tani stafi i klinikës është i përberë nga 13 mjekë specialistë, prej tyre dy janë profesorë ordinarë, dy profesorë inordinarë dhe një me titull asistent dhe magjistër i shkencave mjekësore, ashtu edhe në aspektin e ngritjes së nivelit profesional, te trajnimit të mjekëve në specializim dhe të aplikimit të metodave më bashkëohore diagnostike dhe terapeutike.

  • Marrë nga hyrja e shkruar nga Prof. Dr. Besim Sllmaniku në librin “Monografia e ORL-së dhe HNS-së në Kosovë” botuar në vitin 2003.